Secondary Adv

Më shumë para për bashkitë në 2026, fondet rriten me 4.2 miliardë lekë

Buxheti i vitit 2026 rrit financimet për 61 bashkitë, me një shtesë prej 4.2 miliardë lekësh krahasuar me këtë vit.

Bashkitë do të përfitojnë gjithsej 47.3 miliardë lekë nga buxheti qendror në vitin 2026, një rritje prej 9.7 për qind ose 4.2 miliardë lekësh më shumë se një vit më parë. Pjesa më e madhe e fondeve, rreth 27.8 miliardë lekë, do të jepet si transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet si transfertë sektoriale për funksione të caktuara të pushtetit vendor.

 

Si do të shpërndahen fondet

Shpenzimet e planifikuara të buxhetit vendor për vitin e ardhshëm arrijnë në 97.7 miliardë lekë, duke përfshirë transfertën e pakushtëzuar për të gjitha bashkitë. Fondet synojnë të mbështesin funksionet kryesore vendore, si rritja e pagave, menaxhimi i mbetjeve, mbrojtja nga zjarret, si dhe sistemet e ujitjes dhe kullimit.

 

Bashkitë që përfitojnë më shumë

Tirana merr fondin më të madh, rreth 6.5 miliardë lekë, e ndjekur nga Durrësi me 2.5 miliardë lekë dhe Elbasani me 1.8 miliardë lekë. Pjesa tjetër e buxhetit ndahet ndërmjet 58 bashkive të tjera të vendit, sipas formulës së financimit vendor.

 

Performanca financiare dhe të ardhurat

Rreth 200 milionë lekë do të shpërndahen si grant performance për bashkitë që tregojnë menaxhim më të mirë financiar dhe transparencë më të lartë. Ndërkohë, të ardhurat totale vendore pritet të arrijnë në 43.9 miliardë lekë, një rritje prej 3.2 miliardë lekësh krahasuar me vitin aktual. Taksat e pasurisë mbeten burimi kryesor i të ardhurave, me rreth 10 miliardë lekë të pritshme për t’u arkëtuar gjatë vitit 2026.

 

Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat